Hetimi i Kongresit për Epstein, ish-presidenti Bill Clinton dhe Hillary Clinton drejt dëshmisë zyrtare

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të paraqiten personalisht për të dhënë dëshmi në Uashington, DC, në kuadër të hetimit të Kongresit lidhur me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein. Vendimi vjen në përpjekje për të shmangur një votim të mundshëm në Dhomën e Përfaqësuesve për shpërfillje të Kongresit.
Ende nuk është e qartë nëse kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, do ta pranojë këtë ofertë, çka do të ndalte një votim të plotë në Dhomë për dënimin e Clintonëve për mosrespektim, pas refuzimeve të tyre të përsëritura për të dëshmuar gjatë muajve të fundit.
Megjithatë, propozimi i fundit tregon se Clintonët janë të gatshëm të shkojnë deri në fund për të shmangur votimin, i cili mund të sjellë pasoja ligjore.
Zëdhënësi i tyre, Angel Ureña, reagoi ashpër në rrjetin social X, duke deklaruar se Clintonët kanë bashkëpunuar me mirëbesim. “Ish-Presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të paraqiten dhe janë të gatshëm të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”, shkroi ai, duke akuzuar Comer për mungesë interesi ndaj dëshmisë së dhënë nën betim.
Nuk është bërë ende e ditur data e dëshmive, por nëse ato zhvillohen, do të shënojnë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur dëshmoi Gerald Ford.
Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Jeffrey Epstein dhe ka mohuar vazhdimisht se ka pasur dijeni për aktivitetet kriminale të tij. Sipas regjistrave të avionit privat të Epstein, Clinton ka kryer katër fluturime ndërkombëtare në vitet 2002 dhe 2003.
Emri i ish-presidentit shfaqet gjithashtu në disa fotografi të realizuara në pronën e Epstein, të cilat u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë në përputhje me një ligj të miratuar nga Kongresi për zbulimin e materialeve hetimore që lidhen me pedofilin e dënuar. Në disa prej tyre, Clinton shihet duke notuar në pishinë ose duke pushuar në një vaskë me ujë të nxehtë.
Pas publikimit të fotove në dhjetor, zëdhënësi Ureña deklaroi se ato ishin dekada të vjetra dhe se Bill Clinton kishte ndërprerë çdo kontakt me Epstein përpara se krimet e tij të bëheshin publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




