Kryeministri Rama në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, “Regina di Albania”: Mbroje Shqipërinë dhe ndriço mendjet tona
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur si Regina di Albania, ku mbajti një lutje kushtuar popullit shqiptar, familjeve dhe brezit të ri.
Gjatë momentit solemn, kreu i qeverisë iu drejtua Zojës së Këshillit të Mirë me një mesazh përkushtimi dhe besimi, duke theksuar lidhjen shpirtërore që kjo figurë ka me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Rama u shpreh se vizita kishte për qëllim besimin sërish të fatit të kombit shqiptar nën mbrojtjen e Virgjëreshës Mari.
“O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!
Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar”, u shpreh Kryeministri gjatë lutjes, duke e cilësuar Zojën e Këshillit të Mirë si Zojë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.
Në lutjen e tij, Edi Rama kërkoi udhëzim në rrugën e së mirës, dritë në kohë pasigurish dhe ngushëllim përballë sfidave të jetës, duke theksuar rëndësinë e besimit, unitetit dhe shpresës për të ardhmen e vendit.
“Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne”, tha kryeministri.
Në këtë vizitë, kryeministri Edi Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe i biri, Zaho. Sipas agjendës zyrtare, kreu i qeverisë do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë.
Më pas, Kryeministri do të zhvillojë një takim me Papa Leonin e 14-të në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik. Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në Bazilikën Santa Maria Maggiore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



