Vijojnë kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt, FSK me dron në Liqenin e Ulzës

Prej 26 ditësh po kërkohet për gjetjen e trupit të 30 vjeçarit Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit i cili dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e ujit të zallit të Darsit në datën 10 Janar.
Që prej asaj dite kërkimet në rrjedhën e lumit Mat janë bërë pa ndërprerje ku çdo ditë në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të Jurgenit e struktura të tjera.
Ndërkohë, që prej datës 29 Janar, kërkimeve ju është bashkuar edhe një grup i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Mbi 11 persona janë çdo ditë në kërkime krah forcave tona të armatosura.
E gjithë vija lumore e lumit të Matit është kontrolluar disa herë, por pa mundur të gjejnë trupin e 30 vjeçarit apo ndonjë shenjë të tij. Sakaq, kërkime po bëhen edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.
Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë lëshuar dronin nënujor në hyrje të liqenit duke bërë të mundur kontrollin edhe në thellësi të tij. Deri në datën 3 Shkurt, nuk është gjetur asnjë shenjë e 30 vjeçarit Jurgen Karaj.
Kërkimet do të vijojnë ndërsa prurjet e lumit Mat kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit, duke krijuar më shumë mundësi kontrolli nga grupet e angazhuara në terren.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




