Më shumë vizitorë në muzetë e Shkodrës- Interesi i shtuar për arkeologjinë, etnografinë e xhubletat
Muzeu Historik i qytetit dhe ai i Kështjellës kanë njohur një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare, këto institucione kulturore janë vizituar nga rreth 40 mijë persona, rreth 17 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.
Drejtoresha e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçaj, bën me dije se interesi i vizitorëve, veçanërisht i turistëve të huaj, ka ardhur vazhdimisht në rritje, duke reflektuar rëndësinë që trashëgimia historike dhe kulturore e qytetit ka në promovimin e turizmit.
Sipas Laçajt, vëmendja e vizitorëve është përqendruar kryesisht te fondi arkeologjik dhe ai etnografik. Një interes të veçantë ngjallin edhe xhubletat, tashmë të shpallura pjesë e trashëgimisë botërore, të cilat e kanë bërë muzeun edhe më tërheqës si për vizitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj.
“Interesi dhe kurioziteti i tyre është më i madh te pjesa e objekteve që përfaqësojnë kohë shumë të hershme, pjesa e arkeologjisë, por edhe ai etnografik”, tha ajo.
Rritja e numrit të vizitorëve dëshmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që muzetë e Shkodrës po luajnë në zhvillimin e turizmit kulturor, si dhe nevojën për investime të mëtejshme në ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike të qytetit.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




