Publikonte në rrjete sociale materiale dhe video me të mitur me përmbajtje seksuale, Prokuroria çon në gjyq autorin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin I.M., i akuzuar për veprën penale “Pornografia”, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 117 të Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, procedimi penal nr. 1433 i vitit 2025 u regjistrua pas referimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri kishte ruajtur dhe shpërndarë në platforma të ndryshme online, përfshirë “Mobile Streaming”, “TikTok” dhe “Pinterest.com”, materiale me përmbajtje abuzive seksuale me të mitur.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata miratoi kontrollin personal dhe të banesës së të dyshuarit, si dhe sekuestrimin e dy telefonave celularë “smartphone”, duke autorizuar edhe kontrollin e plotë të të dhënave të ruajtura në këto pajisje.
Ekspertiza tekniko-kompjuterike zbuloi në memorien e telefonave një numër të konsiderueshëm materialesh me përmbajtje pornografike me të mitur, ku fëmijët paraqiteshin me moshë të prezumuar 10–12 vjeç. Sipas hetimeve, materialet ishin siguruar nga burime të ndryshme, përmes aplikacioneve të komunikimit “chat”, navigimit në internet si dhe përmes imazheve të fiksuara direkt nga ekrani i celularit. Në total, u konstatuan 30 video dhe 125 imazhe, të shkarkuara kryesisht nga aplikacioni “Telegram”.
Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në hetimin dhe ndëshkimin e çdo rasti që cenon integritetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve, duke garantuar ndjekjen penale të autorëve të veprave të tilla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




