Protesta e opozitës – Rama: PD ka program dhunën, përgatit bomba artizanale dhe paguan mercenarë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës së opozitës, duke e cilësuar Partinë Demokratike si të vetmen forcë parlamentare në Europë që ka dhunën dhe shkatërrimin e pronës si pjesë të programit të saj.
Në rubrikën e tij të podkastit “Shënimet e Javës”, kryeministri Edi Rama tha se protestat e opozitës nuk janë shprehje e demokracisë, por organizime të dhunshme të udhëhequra nga Partia Demokratike.
Ai akuzoi PD-në se përgatit bomba artizanale dhe paguan mercenarë për t’i hedhur kundër policisë, duke shkaktuar plagosje dhe dëmtim të pronës publike.
Rama theksoi se kjo parti është e vetmja në Europë që e ka dhunën si pjesë të programit të saj politik, duke e krahasuar situatën me praktikat e partive famëkeqe të shekullit të kaluar në Gjermani e Itali.
“Në Evropë ka protesta nga anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë apo të majtë, studentë antiglobalistë, tifozë huliganë, neofashistë që dalin në rrugë për arsye të caktuara, thyejnë, djegin dhe shkatërrojnë prona. Por, që nga koha e partive famëkeqe të 100 viteve më parë, atyre në Gjermani dhe në Itali, të cilat i paraprijnë epokës së zymtë të fashizmit dhe nazizmit, ka vetëm një parti parlamentare në Evropë që e ka në programin dhe aktivitetin e saj pjesë të pandarë të ekzistencës së vet, që nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve deri në sulmin ndaj godinës së vet, si dhe mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çetat e liderit shpirtëror, ndërsa tani janë mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve.”
Ai shtoi se këto protesta dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare dhe i cilësoi si “jashtëderdhje në rrugë e plakut të lajthitur”.
“Mercenarët u shfaqën përsëri në krye të kësaj jave dhe bënë edhe më shumë dëm, duke kaluar tashmë në hedhjen e bombave artizanale të mirëfillta, të përgatitura nga udhëheqja e të ashtuquajturës dhe, ndjesë pastë, PD, duke plagosur punonjës policie deri në shkaktimin e plagëve nga djegia”, u shpreh Rama.
Rama akuzoi opozitën se po dëmton imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare përmes protestave të dhunshme.
“Rrugëçërit e lagjes me maska paguhen për të hedhur molotovë. Mercenarët tani kanë kaluar në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale, të përgatitura nga udhëheqja e PD-së, që synojnë plagosjen e sa më shumë policëve. Këto protesta dalin në mediat e huaja dhe prishin imazhin e Shqipërisë,” shtoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




