“The Wanted”/ Policia e Shtetit ekstradon 3 shtetas nga Danimarka, Franca dhe Italia, ja për çfarë akuzohen

Policia e Shtetit ka finalizuar faza të tjera të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre, u përfunduan procedurat për ekstradimin në Shqipëri të tre shtetasve të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Nga Danimarka u ekstradua shtetasi Daniele Matoshi alias Daniele Çela alias Oklid Cela, 38 vjeç, i lindur në Elbasan. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas autoriteteve, Daniele Matoshi ishte dënuar më herët nga Gjykata e Kristiansand, Norvegji, me 13 vjet burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Nga materialet e dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri të pajustifikuara në emër të tij dhe familjarëve.
Nga Franca u ekstradua shtetasi Christopher Rudoviç, 25 vjeç, i lindur në SHBA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e kishte dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Në qershor 2024, gjatë kontrollit me skaner në aeroportin e Rinasit, në valixhet e tij u gjetën dy armë të ftohta (thika metalike).
Ndërsa nga Italia u ekstradua shtetasi Gazmir Mjelli alias Gazmir Hamzaj, 39 vjeç, i lindur në Berat. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Mashtrimi”. Sipas hetimeve, ai akuzohet se i ka marrë një shumë parash shtetasit Gj. K., duke e mashtruar me premtimin se do ta ndihmonte të shkonte në Itali në mënyrë të paligjshme.
Policia e Shtetit bëri me dije se vijon bashkëpunimi me homologët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



