Skandali i përgjimeve në Greqi, dënohen katër biznesmenët e Intellexa-s

Greqi | 8 muaj më parë

Të pandehurit në çështjen e skandalit të përgjimit të telefonave të personave me profil të lartë në Greqi u shpallën sot fajtorë. Gjykata vendosi ndaj tyre një dënim të kombinuar prej 126 vitesh e tetë muaj burg, nga të cilat tetë vite duhet të kryhen detyrimisht.

Procesi gjyqësor lidhet me kompaninë e sanksionuar të prodhimit të programeve kompjuterike Intellexa, e cila u shpall të enjten fajtore për shkeljen e konfidencialitetit të komunikimeve telefonike në një skandal të zbuluar në vitin 2022.

Në këtë rast u përgjuan politikanë, gazetarë, drejtues biznesesh dhe ushtarakë të lartë grekë.

Të pandehurit – dy shtetas izraelitë dhe dy grekë – ishin themelues dhe drejtues të kompanisë Intellexa, e cila tregtonte programin kompjuterik të spiunazhit Predator në Greqi.

Ky program u jep hakerëve akses në mesazhe, fotografi dhe mundësinë për të aktivizuar në distancë mikrofonin dhe kamerën e pajisjes së infektuar.

Megjithëse të pandehurit mohuan të kenë kryer ndonjë veprim të jashtëligjshëm, gjykata i shpalli fajtorë për disa akuza që lidhen me akses të paligjshëm në sisteme dhe të dhëna të komunikimit privat, si dhe për shkelje të ligjeve mbi mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë.

Për katër të akuzuarit, gjykata vendosi një dënim të kombinuar prej 126 vitesh e tetë muaj burg, tetë vite nga të cilat duhet të kryhen detyrimisht. Vendimi pritet të apelohet.

Skandali i përgjimeve në Greqi doli fillimisht në pah në vitin 2022, kur Nikos Androulakis – sot kryetar i partisë kryesore opozitare PASOK – bëri të ditur se smartfoni i tij ishte infektuar pasi kishte marrë një mesazh gjatë kohës që ishte eurodeputet, dhe se ishte monitoruar nga agjencia greke e inteligjencës EYP.

Më pas u zbulua se ishin shënjestruar telefonat e dhjetëra personave me profil të lartë. Nga ky skandal dhanë dorëheqjen kreu i agjencisë së inteligjencës si dhe një ndihmës i kryeministrit Kiriakos Mitsotakis.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme