Testimi i gjuhës së folur tek fëmijët me probleme dëgjimi – QSUT hap kabinetin e audiometrisë në fushë të hapur

Shëndet | 7 muaj më parë

Ecuria e fëmijëve me probleme dëgjimi është matur gjithmonë nga vizitat tek logopedi përmes progresit gjuhësor që ka bërë në kohë duke bërë që rezultati shpesh të jetë evaziv dhe jo i saktë. Prej disa ditësh kjo praktikë është ndryshuar. Në QSUT është ngritur kabineti i audiometrisë që bën të mundur vlerësimin e dëgjimit në fushë të hapur. Kjo nënkupton matjen e dëgjimit tek fëmijët dhe të rriturit që kanë aparate dëgjimi apo implante kokleare jo vetëm si zë por edhe nëse e dallojnë qartë fjalën.

“Realisht ne masim se sa dëgjon një individ  tek i cili kemi bërë një ndërhyrje për të kuptuar nëse rehabilitimi është i saktë  apo ka nevojë për të ndryshuar programet apo për të rritur amplifikimet. Kjo bëhet tek fëmijët me implante kokleare dhe fëmijë të vegjël sepse siç shikoni ka dy bokse tek të cilat ka disa lodra që stimulojnë fëmijët nga ana vizive nëse ajo përgjigjet në kahun e duhur”, u shpreh shefja e shërbimit të ORL, Prof. Dr Brikena Qirjazi.

Për herë të parë në QSUT është futur edhe testi ri për audiometrinë vokale që Shqipërisë i mungonte. Ky lloj testi ka lidhje me listat e fjalëve dyrrokëshe me ngarkesë të njëjtë fonetike që çdo gjuhe e botës i ka. Për Shqipërinë u bë e mundur falë punës së një mjeku shqiptar në France, doktor Adrian Xhuvani dhe një grupi gjuhëtarësh.

“Matja e dëgjimit përcakton kapacitetin dëgjimor të njeriut kurse audiometria vokale në të cilën nuk vijnë tinguj por vijnë fjalë, përcakton aftësinë e njeriut për të kuptuar fjalën. Pra, pavarësisht se të dyja kanë të bëjnë me të dëgjuarin, ato matin dy koncepte të ndryshme të qenies njerëzore. Rezultatet paraprake të validimit të këtij testi kanë dalë shumë të mira dhe ne po e përdorim tek njerëzit me ulje dëgjimi”, tha Qirjazi.

Dy testet që sot janë pranë shërbimit të ORL-së në spitalin francez në QSUT u japin mundësi fëmijëve dhe të rriturve me probleme te dëgjimi të marrin vlerësim objektit dhe me precizon të lartë

“Ne kështu kuptojmë ku duhet ti vëmë theksin , pra precizojmë rehabilitimin e shërbimit”, tha ajo.

Janë rreth 60 fëmijë me implante kokleare, si dhe pacientë me aparate dëgjimi të cilët do të testohen në mënyrë periodike për të saktësuar objektivat e ndërhyrje së mëtejshme.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme