Mbrojtja e natyrës, prioritet për Shqipërinë dhe BE, Gonzato: Veprime konkrete përtej përafrimit të politikave

Aktualitet | 8 muaj më parë

Bashkimi Europian rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në mbrojtje të pasurive natyrore, përmes projektit EU4Nature, që synon menaxhim më të mirë të zonave të mbrojtura, planifikim më të zgjuar dhe zbatimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë.

Në një kohë kur turizmi po zgjerohet dhe presioni mbi mjedisin e biodiversitetin po rritet, mbështetja e BE-së konsiderohet vendimtare për ruajtjen e bregdetit, lumenjve, pyjeve, lagunave dhe maleve të Shqipërisë.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se projekti EU4Nature mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit të vendit.

“Projekti EU4Nature mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit të Shqipërisë. Megjithatë, edhe autoritetet shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre për të përballuar presionin në rritje mbi zonat e mbrojtura. Për më tepër, projekti po e ndihmon vendin të ecë përpara drejt standardeve mjedisore të BE-së. Por mbrojtja e natyrës shkon përtej përafrimit të politikave; kërkon veprime konkrete në terren”, u shpreh ai.

Projekti EU4Nature synon të forcojë kapacitetet institucionale për administrimin e zonave të mbrojtura, të përmirësojë planifikimin territorial dhe të nxisë praktika që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Europian.

Mbështetja realizohet në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe strukturat përkatëse të BE-së si dhe në koordinim me Ministrinë e Mjedisit.

BE thekson se mbrojtja e natyrës është një element kyç i procesit të integrimit europian dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe zbatim efektiv në terren.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme