Mentor Cuku emërohet Zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit

Mentor Cuku është emëruar Zëvendësdrejtor i Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në përfundim të një procesi konkurrues dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozicion.
Emërimi është bërë nga Drejtori i BKH-së, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Sipas këtij ligji, mandati i Zëvendësdrejtorit të BKH-së është katër vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për këtë funksion. Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët u vlerësuan për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale, përvojën në hetim dhe aftësitë drejtuese.
Mentor Çuku është hetues në BKH dhe ka një përvojë të gjatë në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda. Gjatë karrierës së tij ai është vlerësuar për integritet profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim në ushtrimin e detyrës.
Byroja Kombëtare e Hetimit shprehu gjithashtu vlerësim për të gjithë kandidatët që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes, duke theksuar se institucioni mbetet i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Mentor Cuku është vëllai i komisarit të vrarë, Artan Cuku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




