“Fuqizimi i BE përmes Zgjerimit”/ Ministri Hoxha vizitë zyrtare në Bruksel, takime me Kaja Kallas dhe Marta Kos

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel në cilësinë e kreut të diplomacisë shqiptare, më 10–11 mars 2026.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Hoxha do të pritet nga Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, si dhe nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fokus të takimeve do të jetë partneriteti në rritje mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe angazhimi për përparimin e mëtejshëm në përmbushjen e kalendarit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
Me ftesë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Ministri Hoxha do të jetë ndër folësit kryesorë në panelin me titull “Fuqizimi i BE përmes Zgjerimit”, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve.
Diskutimet do të përqendrohen në mënyrat se si procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mund të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e Unionit, si dhe në rolin e zgjerimit si një investim afatgjatë për të ardhmen e rajonit.
Ministri Hoxha do të marrë pjesë gjithashtu në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë për të nderuar mësuesit e gjuhës shqipe në Belgjikë dhe Luksemburg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



