Deklaratat e ambasadës britanike dhe gjermane, Rama: Reforma në drejtësi s’ka kthim pas, SPAK të hetojë i patrazuar. Rruga e vetme e Shqipërisë është BE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadave të Britanisë dhe Gjermanisë, të cilat kërkuan që drejtësia në Shqipëri të mos pengohet, duke theksuar se kjo është një kusht për integrimin europian.
Rama u shpreh se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet prioritet dhe se nuk ka rrugë tjetër alternative, duke garantuar se reforma në drejtësi nuk do të ketë kthim pas dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk preket. Ai shtoi se mbështetja për SPAK mbetet e palëkundur dhe lufta kundër korrupsionit vazhdon më këmbëngulëse se kurrë.
“Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%. Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj: Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian. Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur. Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar e Komisionit Europian”, shkruan Rama.
Lidhur me mos heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, Rama tha se çështja nuk cenon procesin e drejtësisë dhe se Parlamenti shqiptar ka treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk mund të përdoret si mjet për eksperimente socio-politike.
“Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor. Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesa e sotme, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë. Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë! Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B”, shkruan Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




