Imuniteti i Ballukut, Rama: Ka pasur debate me disa ndërkombëtarë, por ishin konstruktive. Nuk pengon rrugën drejt BE-së, çdo pretendim tjetër, deformim i pazareve politike
Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e Kuvendit për të refuzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, si dhe për reagimet e disa partnerëve ndërkombëtarë mbi këtë çështje.
Rama deklaroi se ka pasur diskutime me disa partnerë ndërkombëtarë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, por theksoi se debatet kanë qenë konstruktive dhe pa tensione apo presione.
Ai shtoi se çdo pretendim tjetër, është deformim i pazarit politik.
“Ne kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Sikundër besoj e dinë shumica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e saj. Një nga normat e padiskutueshme është që t’i shikoj partnerët në sy dhe të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. Dua të them se, përtej mënyrës se si janë pikturuar karikaturat e një pazari politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive dhe nuk kanë pasur asgjë të ngjashme me tensione, presione apo kërcënime. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Unë besoj se edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë shumë të qarta, por gjithçka varet nga mënyra se si lexohen. Kushdo që merret me deformime nuk i shërben diskutimit të kësaj çështjeje”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se vendimi i Parlamentit nuk ka lidhje me pengimin e hetimeve apo me reformën në drejtësi, duke shtuar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk rrezikohet nga kjo çështje.
Sipas tij, kërkesa e SPAK nuk përmbushte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë nga Kuvendi.
“Vendimi i djeshëm i Parlamentit dhe jehona tërësisht e deformuar që iu dha atij vendimi lidhet me faktin se kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë bllokim të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së apo me pengimin e reformës në drejtësi është një përpjekje e shëmtuar”, tha Rama.
Ai shtoi se aktualisht bëhet fjalë për një çështje në hetim dhe jo për një akuzë për korrupsion, duke theksuar se edhe vetë SPAK nuk ka ngritur një akuzë të tillë.
“Jemi përballë një çështjeje në hetim, që mund të hetohet lirisht pa asnjë pengesë. Unë inkurajoj SPAK që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të shfaqet korrupsioni, por deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni”, përfundoi kryeministri.
Një ditë më parë, Kuvendi rrëzoi me 82 vota kundër dhe 47 pro kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




