Eksploziv automjetit në Tiranë- Policia zbardh dinamikën e ngjarjes, në pranga 7 persona
Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur më 10 mars 2026, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në automjetin e shtetasit O. K., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe operacionit të koduar “Porosia”, u vunë në pranga 7 persona të përfshirë në këtë ngjarje, të organizuar në formën e një grupi kriminal.
Gjithashtu, u sekuestruan biçikleta e përdorur nga autori, rrobat e tij, automjete të dyshuarve dhe aparatet celularë.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi J. G., 32 vjeç, është personi që vendosi dhe aktivizoi lëndën eksplozive, i ndihmuar nga K. A., R. B. dhe E. L., të cilët siguruan mjetet dhe informacionin e nevojshëm. Ndërkohë, shtetasi S. N., 33 vjeç, aktualisht i dënuar në IEVP Fushë-Krujë për vepra të rënda kriminale, dyshohet se ka porositur vendosjen e eksplozivit.
Po ashtu, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar autorin e shpërthimit ditën e ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia thekson se operacioni “Porosia” është një shembull i bashkëpunimit efektiv mes strukturave hetimore dhe përdorimit të provave teknike për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




