Rama me furnizuesit e naftës: Në Shqipëri, çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Faktori shtetëror, distributor garant dhe shumice
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në ambientet e “Shtëpisë së Biznesit”, me fokus përballimin e pasojave të krizës globale në tregun e karburanteve.
Gjatë takimit, Rama deklaroi se në Shqipëri çmimi i naftës është rritur në mënyrë të moderuar, teksa shtoi se sfida mbetet gjithsesi e hapur dhe se nuk mund të jepte një përgjigje se kur do të mbyllet ajo betejë që mban lidhur pas vetes dhe çmimin e naftës.
“Shpreh konsideratën pozitive për qasjen tuaj e cila ka qenë në këtë fazë e përgjegjshme, pasi nëse në tërësi në treg dhe përmes bursave është konstatuar rritje deri ne 40% e çmimit, që shkakton presion në zinxhirët e furnizimit, në Shqipëri çmimi është rritur në mënyrë shumë më të moderuar për shkak të rritjes së çmimit në bursë, në disa vende të tjera.
Gjithsesi, sfida është e hapur, nuk di të thotë askush se kur do të mbyllet ajo betejë që mban faktikisht lidhur pas vetes dhe çmimin e naftës.
Nuk ditë thotë askush si do shkojë çmimi në bursë nëse do ketë rritje të mëtejshme, nëse do stabilizohemi në një pikë të caktuar, por ne do të bëjmë atë që na takon, duke filluar nga rezerva. Sipas informacioneve të marra, konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme e cila fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për 100 ditë dhe kjo është pozitive., megjithatë mbetet për t’u monitoruar ditë pas dite gjithë situata”, deklaroi ai.
Kryeministri bëri me dije se qeveria po punon për finalizimin e një nisme për futjen në treg si distributor garant dhe shumice, një faktor shtetëror që sipas tij do lehtësojë punën edhe të furnizuesve të naftës, pasi do garantojë sasinë e nevojshme duke pasur mbështetjen shtetërore, si dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët.
“Kemi në konsultim publik ligjin për rezervë shtetërore, e cila do duhet të shtrihet fizikisht në 100 ditë, 3 muaj më saktë. Ne jemi në punë për të finalizuar dhe një nismë për të futur në treg si distributor garant dhe shumice, një faktor shtetëror, gjë që ne besojmë do ta bëjë më të lehtë dhe për ju gjithë punën sepse do garantojë sasitë e nevojshme duke pasur mbështetjen shtetërore dhe do lehtësojë marrëdhëniet me të tretët. Ne do synojmë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë”, tha ai.
Gjatë takimit, Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe operatorëve të tregut për të minimizuar ndikimin e rritjes së çmimeve tek qytetarët dhe bizneset. Ai nënvizoi se qëllimi kryesor mbetet mbrojtja e konsumatorëve dhe garantimi i një tregu sa më të qëndrueshëm në një situatë të vështirë ndërkombëtare.
Ai nënvizoi se deri në këto momente nuk është parë e arsyeshme të të ngrihet Bordi i transparencës.
“Kërkoj të ruani ekuilibrin që keni ruajtur deri tani. Ne nuk kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapin dhe të kalojmë në Bord pasi nëse dialogu funksionon si deri tani, ne qëllimin nuk e kemi t’ju shtrëngojmë në punë tuaj, por bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme s’mund të projektohet e tëra në supet e konsumatorëve”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




