Ministri Malaj paralajmëron: Nëse konstatohet abuzim, rikthehet Bordi i Transparencës

Ministri i Financave, Petrit Malaj, foli këtë të mërkurë për punën e deritanishme të Task-Forcës së ngritur për monitorimin e tregut të karburanteve.
Ai paralajmëroi se në rast se do të evidentohen abuzime me çmimet apo marzhin e fitimeve, qeveria do të detyrohet të ringrejë Bordin e Transparencës.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se situata me çmimet e hidrokarbureve po shihet në dy plane
“Me qëllim monitorimin e situatës, një javë më parë kemi krijuar Task-Forcën e përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe atë të Tatimeve. Plani operacional është i shtrirë në dy plane: së pari, monitorimin e çmimeve dhe të marzhit të fitimeve nga tregtarët me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve; së dyti, rritjen e kapacitetit tatimor dhe doganor me qëllim uljen e evazionit fiskal dhe propagandës që ndodh,” deklaroi Malaj.
Ai bëri të ditur se Task-Forca është në terren dhe e shtrirë në gjithë Republikën e Shqipërisë.
“Prej një jave Task-Forca është në terren dhe, sikurse u tha edhe nga ministrat, nuk janë vërejtur rritje të çmimeve apo të marzheve, qoftë nga operatorët grosistë apo ata me pakicë. Megjithatë, kemi evidentuar shkelje të tjera për të cilat Task-Forca ka ndërmarrë masa, por më duhet të theksoj se strukturat do vijojnë monitorimin në terren,” shtoi ai.
Ministri Malaj paralajmëroi se nëse konstatohet abuzim, qeveria do të rikthejë Bordin e Transparencës.
“Nëse ka abuzime të konstatuara, do detyrohemi të ngremë Bordin e Transparencës në mënyrë që të marrim masat e nevojshme,” u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




