Nga derri te njeriu, shkencëtarët krijojnë ezofagun e parë, revolucion i ri në trajtimin e sëmundjeve të rënda

Teknologji | 7 muaj më parë

Ezofagu i parë i krijuar në laborator është zhvilluar nga shkencëtarë të University College London dhe spitalit pediatrik Great Ormond Street Hospital, duke u testuar me sukses edhe tek kafshët, ku ka zëvendësuar një pjesë të organit dhe ka rikthyer funksionin e tij.

Studiuesit përdorën ezofagun e një derri, për shkak të ngjashmërisë së madhe me atë të njeriut. Organi iu nënshtrua procesit të deqelizimit, ku u hoqën të gjitha qelizat, ndërsa u ruajt struktura mbështetëse. Më pas, kjo strukturë u mbush me qeliza muskulore nga një derr tjetër, të cilat u zhvilluan dhe u integruan në ind.

Sipas studimit të publikuar në Nature Biotechnology, tetë kafshët e përfshira në eksperiment i mbijetuan 30 ditëve të para pas transplantit. Brenda gjashtë muajve, indet e transplantuara kishin zhvilluar muskuj, nerva dhe enë gjaku funksionale, duke i mundësuar ezofagut të kryente funksionin normal të transportit të ushqimit. Kafshët ushqeheshin normalisht dhe zhvilloheshin në mënyrë të shëndetshme, ndërsa disa komplikacione të vogla u trajtuan me sukses përmes endoskopisë.

Një element i rëndësishëm i këtij inovacioni është fakti që transplantet nuk kërkuan terapi imunosupresive, pasi u ndërtuan me qeliza të vetë organizmit pritës, duke i bërë ato plotësisht të pajtueshme biologjikisht.

Ky zhvillim sjell shpresë për trajtime të reja të personalizuara, veçanërisht për fëmijët që lindin me atrezi të ezofagut, një gjendje e rëndë ku ezofagu nuk lidhet me stomakun dhe kërkon ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale.

Drejtuesi i studimit, Paolo De Coppi, theksoi kompleksitetin e këtij organi, duke shpjeguar se ezofagu nuk ka furnizim të drejtpërdrejtë me gjak, çka e bën transplantimin tradicional shumë të vështirë. Ai nënvizoi se përdorimi i indeve të derrit, pas heqjes së materialit qelizor, mund të shërbejë si bazë për krijimin e indeve të reja të përshtatura për njeriun.

Sipas tij, kjo qasje përfaqëson një hap të rëndësishëm në mjekësinë rigjeneruese, i ngjashëm me përdorimin prej dekadash të valvulave të zemrës nga derri në kirurgjinë kardiake.

Ekipi shkencor po vijon punën për të përmirësuar teknologjinë, duke synuar krijimin e indeve më të mëdha, standardizimin e procesit dhe kryerjen e testeve të mëtejshme për sigurinë, me qëllim aplikimin e ardhshëm tek njerëzit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme