Veliaj mungoi, shtyhet seanca në GJKKO. Avokatët kërkojnë ndarjen e çështjes, SPAK: Po e përdorni për strategji

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), seanca e parashikuar për çështjen ku është i përfshirë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shty sërish. Trupa gjykuese caktoi datën 3 prill, ora 09:00 për mbajtjen e seancës së radhës.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërsa gjatë seancës, avokati i Fatmir Bektashit, Sokol Hazizi, kërkoi ndarjen e çështjes, duke argumentuar se procesi nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado e cilësoi këtë si një strategji për të shtyrë procesin, duke theksuar se prej tetë muajsh nuk është arritur të futet në themel të gjykimit, për shkak të sjelljes së Veliajt dhe avokatit të tij.
“Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që nuk po arrijmë dot te futemi në proces. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokati të tij. Nëse kërkesë për ndarje të çështjes ndaj Fatmir Bektashit që kërkon avokati Sokol Hazizaj. E shikojmë të pabazuar në ligj”, tha prokurori Dado.
Ndërkohë, avokati Ndreca kundërshtoi duke thënë se nuk ka qëllim për të shtyrë seancën, por kërkon një proces të rregullt gjyqësor pa shkelur të drejtat procedurale. Ai u bashkua me avokatin Artan Simoni për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se kërkesa për ndarje nuk mund të bëhet në këtë fazë pa u shprehur të gjitha palët.
“Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë procesi të rregullt gjyqësor. Jemi për proces që të zhvillohet me shpejtësi por pa shkelur të drejtat procedurale. Për kërkesën ne bashkohemi me Artan Simonin për të shtyrë seancën. Mendoj qe kërkesa e avokatit të Fatmir Bektashit nuk mund të bëhet në këtë fazë. Se duhet të shprehen të gjitha palët”, u shpreh avokati Ndreca.
Veliaj ka dërguar një shkresë gjykatës ku sqaron se është duke lexuar dosjen e dërguar në IEVP Durrës dhe se në ditët në vijim do të paraqitet personalisht në seancë. Ai ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



