Stuhia Erminio godet Mesdheun: Greqia përmbytet, Kreta mbulohet nga pluhuri i Saharasë

Greqi | 6 muaj më parë

Një valë e fuqishme moti ekstrem ka përfshirë pjesë të Mesdheut dhe Azisë Jugore këtë javë, duke shkaktuar pasoja të rënda në disa vende.

Stuhia Erminio ka goditur Greqinë me shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe breshër, duke sjellë përmbytje në rrugë dhe bllokim të automjeteve.

Situata më e rëndë u regjistrua në Atikë, ku një stacion meteorologjik pranë aeroportit të Athinës raportoi 132 mm reshje brenda 24 orëve, ndërsa në Nea Makri u regjistruan 50 mm shi brenda vetëm dy orësh, duke shkaktuar vdekjen e një personi.

Erërat e forta që frynin nga Afrika veriore sollën me vete edhe pluhur Saharian, duke e mbuluar Kretën me re të dendura portokalli-të kuqe.

Ky fenomen i pazakontë e bëri ajrin të rëndë dhe të vështirë për frymëmarrje, ndërsa shërbimet e trageteve u pezulluan për shkak të kushteve të rënda atmosferike.

Italia juglindore u përfshi gjithashtu nga reshje të dendura shiu, me lumenj që dolën nga shtrati dhe borë të pazakontë për këtë periudhë në Apeninet jugore. Disa zona regjistruan deri në 1.5 metra borë të freskët, duke rritur rrezikun e ortekëve.

Ndërkohë, në Afganistan reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje katastrofike. Më shumë se 50 persona kanë humbur jetën, qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 400 shtëpi janë shembur. Janë dëmtuar gjithashtu 405 hektarë tokë bujqësore dhe rreth 400 km rrugë. Autoritetet paralajmërojnë se kombinimi i shiut të dendur me shkrirjen e borës pas dimrit e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj përmbytjeve.

Pakistani fqinj ka raportuar gjithashtu stuhi të forta, breshër dhe përmbytje të menjëhershme në mbi 30 distrikte, me autostrada të bllokuara dhe viktima, përfshirë një vajzë 12-vjeçare të goditur nga rrufeja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme