Parlamenti grek miraton heqjen e imunitetit për 13 deputetë të Demokracisë së Re, BE nis hetimet për abuzim me fondet e bujqësisë

Greqi | 6 muaj më parë

Parlamenti grek ka miratuar sot me shumicë të gjerë votash heqjen e imunitetit për 13 deputetë të partisë në pushtet Demokracia e Re, pas kërkesës së Prokurorisë Evropiane, e cila po heton dy dosje të reja për keqmenaxhim të subvencioneve bujqësore të OPEKEPE në vitin 2021.

Vendimi i Kuvendit i hap rrugën hetimeve të drejtpërdrejta nga autoritetet evropiane.

Në votimin elektronik morën pjesë 288 deputetë, ndërsa 9 munguan.

Rezultatet treguan mbështetje pothuajse unanime për heqjen e imunitetit, me 285 deri në 287 vota “pro” dhe vetëm 2 vota “kundër”.

Sipas mediave greke, të paktën 10 nga deputetët e përfshirë votuan vetë pro heqjes së imunitetit të tyre.

Dy deputetët që votuan kundër heqjes së imunitetit ishin deputetja e ND-së Katerina Papakosta, e cila megjithatë votoi në favor të imunitetit të saj, si dhe deputeti i pavarur Konstantinos Floros.

Mes mungesave u numëruan tre deputetë të Demokracisë së Re (Notis Mitarakis, Stelios Petsas, Miltos Chrysomallis), pesë deputetë të pavarur (Panagiotis Paraskevaidis, Pavlos Sarakis, Giorgos Aspiotis, Antonis Samaras dhe Marios Salmas) si dhe deputetja e SYRIZA-s, Katerina Notopoulou. SYRIZA sqaroi se vota e Notopoulou ishte dërguar me postë, por nuk u dorëzua në kohë dhe do të llogaritet në favor të heqjes së imunitetit.

Kryeprokurori evropian kishte kërkuar më herët heqjen e imunitetit për 13 ligjvënës aktivë, përfshirë ish-ministrat e bujqësisë dhe mbrojtjes civile, në mënyrë që ata të hetohen për rolet e tyre të dyshuara në skemën e subvencioneve.

Ligjvënësit grekë nuk mund të hetohen nga gjyqësori pa miratimin e parlamentit, ndaj ky votim ishte vendimtar për nisjen e procedurave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme