Kosova voton, rreth 2 milionë qytetarë zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin me 120 vende
Sot (7 qershor) në Kosovë votohet për legjislaturën e 11-të të Kuvendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet, përfshirë fletëvotimet për 38 komunat. Në garë për 120 vendet e organit legjislativ, ku 20 prej tyre janë të garantuara për komunitetet e pakicave, janë 23 parti politike dhe tre koalicione me gjithsej 917 kandidatë.
Votimi i nisur në orën 07:00 të mëngjesit, mbyllet zyrtarisht në orën 19.00. Më pas procesi vijon me numërimin e votave dhe rezultatet e para priten të shpallen brenda pak orësh. Të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë, përfshirë edhe rreth 130 mijë shtetas që votuan nga jashtë Kosovës përmes postës ose direkt në përfaqësitë diplomatike, proces që u mbyll një ditë më parë.
Votimi brenda vendit zhvillohet në 949 qendra me 2550 vendvotime, 911 prej të cilave për procesin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, zhvillohet votimin me kusht. KQZ ka angazhuar rreth 300 anëtarë me 72 ekipe të lëvizshme për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, që nuk mund të votojnë në qendrat përkatëse.
Forca policie dhe mbi 100 prokurorë janë në terren për të garantuar mbarëvajtjen procesit elektoral. Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të tretat me radhë brenda 16 muajve, pas atyre të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit të mbajtura vitin e kaluar dhe vijnë pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Ndërsa Kosova ka hyrë në një test të ri elektoral, analistët thonë se pa konsesus mes partive, vendi do të vazhdojë të përballet me ngërç politik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




