KQZ publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Vetëvendosje kryeson me 42.92%, PDK e dyta

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka ruajtur pozitën si subjekti më i votuar në vend, ndërsa renditja e forcave kryesore politike mbetet e pandryshuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Pas numërimit të 99.40 % të vendvotimeve, Lävizja Vetëvendosje ka siguruar 42.92 % të votave, duke mbetur forca dominuese në skenën politike. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.06 %, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 17.61 % të mbështetjes së votuesve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur të sigurojë 7.18 për qind të votave, duke ruajtur praninë e saj parlamentare.
Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate (PSD) nuk ka arritur të kalojë pragun për përfaqësim në Kuvend. Sipas rezultateve të deritanishme, kjo parti ka marrë vetëm 0.27 për qind të votave, ose më pak se dy mijë vota në nivel vendi.
Zgjedhjet u karakterizuan edhe nga një pjesëmarrje më e ulët e qytetarëve krahasuar me procesin e fundit zgjedhor. Të drejtën e votës e shfrytëzuan 36.38 % e votuesve, ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit 2025 pjesëmarrja kishte qenë 44.99 %. Kjo përkthehet në rreth 200 mijë votues më pak në kutitë e votimit.
Megjithëse rezultatet aktuale japin një pasqyrë të qartë të renditjes së partive, procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar plotësisht. Në ditët në vijim do të numërohen votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë shtetas të Kosovës të regjistruar jashtë vendit kanë votuar përmes formave të ndryshme të votimit. Votat e tyre pritet të kenë ndikim në shpërndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvendin e Kosovës.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




