LVV humb vota por kryeson pas zgjedhjeve – Kurti shpalli fitoren, LDK shënon rritje
Pas numërimit të gati të gjitha votave, Albin Kurti shpalli fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, partia në pushtet fitoi 42.92 për qind të votave, dukshëm më pak se në zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur fitoi mbi 51 për qind, por në fjalimin e fitores Kurti la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me partitë e tjera.
LDK shënoi rritjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, tha kryetari i saj Lumir Abdixhiku, pasi partia e tij fitoi 17.6% të votave. Ish-presidentja Vjosa Osmani, kryesuese e listës së LDK dhe kandidate e kësaj partie për presidente, falënderoi qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar rezultatin si fillim të një faze të re për subjektin politik.
“Ky është edhe një konfirmim i radhës që së paku kjo dekadë, e unë besoj edhe shumë më shumë se kaq, është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje,” tha Kurti.
Nga PDK, partia që doli e dyta me 21.6% të votave, Vlora Çitaku u shpreh se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje ishte tregues i zhgënjimit të qytetarëve.
“Natyrisht që është vetëm hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë,” tha Osmani.
Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, partia e të cilit doli e katërta dhe pati rritje të mbështetjes, tha se partia e tij do të punojë që vota e qytetarëve të respektohet plotësisht.
“Kurrë nuk kanë me u penduar për votën e vet. Për ne kjo është një nisje e jashtëzakonshme,” u shpreh Gjini.
Ndërkohë, Lista Serbe bëri me dije se ka fituar të 10 mandatet që janë për komunitetin serb në Kosovë. Rezultati mbetet paraprak pasi do të numërohen votat me kusht dhe ato nga diaspora.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte 35%, më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur ishte 45%. Sipas Policisë së Kosovës, procesi i votimit u zhvillua i qetë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




