Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj 6 personave për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari që synonin pengimin e funksionimit të institucioneve shtetërore në komunat veriore të vendit gjatë dhjetorit të vitit 2022.
Të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 10–29 dhjetor 2022, të akuzuarit kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet shtetërore në ushtrimin e autoritetit dhe zbatimin e rendit kushtetues. Ata dyshohet se kanë organizuar bllokimin e rrugëve kryesore duke përdorur automjete dhe makineri të rënda, përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, autoambulanca dhe mjete të tjera.
Prokuroria thekson gjithashtu se ekzistojnë dyshime se grupi ka qenë i përgatitur të kundërshtonte me forcë çdo ndërhyrje të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes në zonë.
Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë. Prokuroria ka bërë të ditur se procedurat ligjore ndaj të akuzuarve do të vazhdojnë sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa për personat e pakapshëm do të ndërmerren veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së tyre para organeve kompetente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




