27-vjetori i çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit homazhe në Prekaz: Sakrifica e Jasharëve, themeli i lirisë sonë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti Ditën e Çlirimit e nisën me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku theksuan se rruga drejt lirisë së Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën dhe qëndresën e familjes Jashari gjatë marsit të vitit 1998.
“Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve. Ata mbrojtën idenë që populli ynë nuk mposhtet asnjëherë. Sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lirë. Prandaj, çdo gëzim i kësaj feste fillon pikërisht këtu, pranë këtyre varreve. Liria që ne e gëzojmë sot është amaneti i tyre”, tha Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së Presidentes.
“Sikurse për çdo vit, edhe sivjet më 12 qershor vijmë këtu si krerë të institucioneve në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar…. duke kujtuar e përkujtuar flijimin e Jasharëve, ne më së miri i qëndrojmë besnikë çlirimit dhe emancipimit, pavarësisë dhe bashkimit, zhvillimit dhe progresit. Lavdi Jasharëve dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, u shpreh kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kosova më 12 qershor shënon 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s dhe çlirimit të vendit, një nga datat më të rëndësishme në historinë e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




