Kurti optimist për formimin e institucioneve, numërimi i votave nga diaspora i jep një mandat LVV-së, ja heq LDK-së   

Kosovë | 3 muaj më parë

Fituesi i zgjedhjeve të 7 qershorit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e koalicionit do të krijojë institucionet e reja të Kosovës.

 “Duhet të keni parasysh atë që është evidente përsëri që LVV-ja është fituese e padiskutueshme, bashkë me partnerët tanë. ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Unë jam optimist se gjërat do të shkojnë mbarë e mirë sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë”, u shpreh Kurti.

Për zgjedhjen e presidentit të ri, Kurti tha se procesi kërkon bashkëpunim me partitë opozitare.

“Jemi të gatshëm, vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim. Kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë dhe e dini se si qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar dhe shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe”, deklaroi Kurti.

Ndërsa numrimi i votave të kandidatëve për deputetë është drejt fundit, Lëvizja Vetëvendosje po kryeson edhe në numërimin e votave të hedhura më 6 qershor në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit, ku ka siguruar një mandat shtesë, duke e çuar në 49 numrin e vendeve të fituara në Kuvendin e ri, mandat që iu hoq Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila deri tani rezulton me 19 deputetë. PDK vazhdon të ruajë 24 deputetë, ndërsa AAK 8 deputetë. Rezultatet mbeten ende paraprake, pasi ende nuk janë përfshirë votat me kusht, ato nga personat me nevoja të veçanta dhe fletëvotimet e dërguara nga postë nga votuesit jashtë Kosovës.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme