Kosovë, deficiti tregtar thellohet, importet arrijnë 2.9 miliardë euro, eksportet mbeten shumë më të ulëta

Kosovë | 4 muaj më parë

Ekonomia e Kosovës vijon të mbetet e varur nga mallrat e importuara, ndërsa diferenca mes blerjeve nga jashtë dhe shitjeve në tregjet e huaja po thellohet nga viti në vit.  Duke pranuar situatën, ministrja në detyrë Kusari Lila, është shprehur se gjendja paraqet presion shtesë për institucionet që të punojnë më shumë në promovimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.

“Por, çka është shumë e rëndësishme për ne, është fokusi i rritjes së zëvendësimit të mallrave të importuara në përgjithësi, ndërsa fokusi i uljes së deficitit tregtar, që po pajtohem është i lartë, dhe ne na jep një presion dhe një shtytje të veçantë fakti që duhet të punojmë më tepër për promovimin edhe të prodhimit vendor, edhe të zëvendësimit të mallrave të importuara.Ndërsa hapi i parë dhe më i shpejtë me të cilin jemi duke bërë analizat që mund të zëvendësojnë produktet e importuara, ka të bëjë me të gjitha kontratat në prokurimin publik. Është e domethënë, do të ishte e tepruar sikur përmes kontratave në prokurimin publik, para prodhimeve vendore t’u jepet përparësi prodhimeve të tjera të importuara apo shërbimeve. Por me këtë duhet në të gjithë spektrin e ndihmës për prodhuesit vendorë, duke filluar nga rritja e cilësisë, konkurrueshmëria në çmime e masa të tjera”, tha ajo.

“Gjithësisht, në totalin e importeve të përgjithshme të Republikës së Kosovës, Serbia, nëse nuk gaboj, nuk është as në 10-shen e parë. Në krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur një rritje të lehtë, megjithatë ajo ka të bëjë për shkak të disa specifikave me materialin ndërtimor dhe problemeve që janë shfaqur brenda këtu në Kosovë, me të cilat jemi duke u marrë intensivisht në raport me disa industri. Por, në përgjithësi, konsumi i mallrave të përgjithshëm nga Serbia nuk është në rritje dhe ky është lajm pozitiv”, tha ajo.

Të dhënat e Doganës tregojnë se gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë importuar mallra me vlerë 2.9 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë arritur vetëm në 419 milionë euro. Kjo do të thotë se vendi ka shpenzuar rreth 2.5 miliardë euro më shumë për importe sesa ka fituar nga eksportet. Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë situatë me mungesën e reformave strukturore dhe rritjen e konsumit në treg. Sipas tyre rritja e pagave, pensioneve, ndihmave sociale dhe remitancave nga diaspora ka shtuar konsumin, ndërsa prodhimi vendas mbetet pak konkurrues përballë mallrave të importuara. Gjermania, Kina dhe Turqia mbeten partnerët kryesorë të importeve në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme