Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë, KQZ pret shqyrtimin e ankesave të partive parlamentare
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, bëri me dije se shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të nxirren nga institucionet përkatëse. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë detyrime konkrete për KQZ-në, deklaroi Elezi.
Partia Demokratike e Kosovës është subjekti i vetëm që ka depozituar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e rinumërimit të 185 kutive të votimit, ndërsa afati 48-orësh për paraqitjen e tyre përfundoi mesditën e së dielës. Ai organ ka afat deri të martën për të dhënë vendimin dhe pas këtij procesi i hapet rruga shpalljes së rezultateve përfundimtare, ku sipas të dhënave paraprake Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli fituese, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK.
Më herët, KQZ parashikoi se certifikimi i rezultatit pritet të përfundojë deri në fillim të muajit korrik, për të vijuar më tej me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e qeverisë dhe presidentit të ri. Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi legjislatura e 10-të dështoi të zgjedhë kreun e ri të shtetit që do të pasonte në detyrë Vjosa Osmanin.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




