Theu masën e arrestit dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, policia jep detaje nga ndjekja në Durrës: Përplasi 5 makina të parkuara, kontrolle intensive për kapjen e tij
Policia e Durrësit ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur sot në lagjen nr.14, ku një person me masë “arresti në shtëpi” nuk iu bind urdhrit të policisë dhe përplasi 5 mjete të parkuara.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14 të Durrësit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi.
Megjithatë, drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të efektivëve dhe ka vijuar lëvizjen. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka përplasur pesë automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Pas përplasjeve, drejtuesi i automjetit, i identifikuar nga Policia si shtetasi R. Xh., ka braktisur mjetin dhe është larguar me vrap nga vendngjarja.
Menjëherë pas incidentit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e cila i ishte caktuar në kuadër të procedimeve për veprën penale “Mashtrimi”.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14, Durrës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen.
Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, shtetasi R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




