“Konstituohet kuvendi, krijohet qeveria, zgjidhet presidenti”, Kurti: Të pranohet rezultati i zgjedhjeve

Nga mbledhja e qeverisë, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti deklaroi se procesi i krijimit të institucioneve të reja pas konstituimit të Kuvendit do të vijojë me krijimin e qeverisë së re dhe më pas me presidentin.
“Sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës të 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit.”
Nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli sërish e para, Kurti tha se ai proces ishte i panevojshëm, ndërkohë u kërkoi partive politike të pranojnë dhe respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.
“Sido që të jetë qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e përkthehet në institucione funksionale demokratike të angazhuara e përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u zhvilluan pasi partitë parlamentare dështuan të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur kreun e ri të Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




