Kurti: Vullneti i popullit të përkthehet në institucione funksionale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të qershorit do të fillojnë konsultimet për konstituimin e institucioneve të reja të vendit, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe zgjedhjen e presidentit.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se rezultatet zgjedhore kanë konfirmuar qartë vullnetin e qytetarëve, duke theksuar se ky vullnet duhet të reflektohet në institucione funksionale dhe efektive.
Ai vlerësoi se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, por nënvizoi se tani është e rëndësishme që rezultati i dalë nga vota e qytetarëve të respektohet dhe të shndërrohet në institucione demokratike që do të punojnë për zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe projektet infrastrukturore.
Kurti u ndal edhe te arrestimi i pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe, të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut. Ai përgëzoi institucionet përgjegjëse për këtë veprim, duke theksuar se arrestimet erdhën pas një hetimi gjashtëmujor.
Sipas tij, për më shumë se dy dekada ka munguar ndjekja e duhur e përgjegjësve për këtë krim, ndërsa theksoi se në lëndët e trashëguara nga UNMIK-u nuk kishte asnjë rast që lidhej me masakrën e Reçakut.
Kryeministri në detyrë kërkoi përshpejtimin e hetimeve dhe proceseve gjyqësore për krimet e luftës, duke paralajmëruar se kalimi i kohës po e vështirëson sigurimin e dëshmive dhe dëshmitarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




