Plagoset me armë zjarri 35-vjeçari në Pogradec, dërgohet me helikopter drejt Tiranës
Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Pogradec.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosur ka mbetur B. S., i cili ka marrë një plagë në këmbë. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku pas ndihmës së parë mjekësore është dërguar me helikopter drejt Tiranës.

Burime paraprake bëjnë me dije se i plagosuri është një person i njohur për Policinë e Shtetit, për shkak të precedentëve penalë.
Policia ka identifikuar menjëherë autorin, i cili është arrestuar pak minuta pas ngjarjes në Përrenjas. Paraprakisht dyshohet se autori i dyshuar, N.A., u plagos vitin e kaluar nga vëllai i 35-vjeçarit të plagosur sot. Ngjarja ka ndodhur në një berberhanë në lagjen nr. 1 të Pogradecit në janar të 2025 dhe dyshohet se plagosja e sotme ka ardhur si hakmarrje.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë gazetarja Eftjola Fili raportoi për RTSH se 35-vjeçari i plagosur është dërguar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar, pasi plumbi e ka goditur në këmbë dhe ka kapur njërën prej venave kryesore.
Pogradec / Informacion paraprak
Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia.
Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




