Shkolla e Magjistraturës 2025-2026/ Toni Gogu mesazh magjistratëve të rinj: Integriteti, baza e sistemit të drejtësisë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Në ceremoninë e diplomimit të brezit të ri të kandidatëve të Shkollës së Magjistraturës për vitin 2025-2026, ministri i Drejtësisë Toni Gogu u drejtua me një mesazh të fortë magjistratëve të rinj, duke vënë në qendër të punës së tyre integritetin si themel të pandashëm të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e tij, ministri Gogu tha se pas viteve të transformimit të thellë institucional – ndryshimit të Kushtetutës, krijimit të institucioneve të reja dhe procesit të rivlerësimit kalimtar – sistemi i drejtësisë po hyn tani në një fazë të re, ku suksesi nuk do të matet më nga arkitektura institucionale, por nga cilësia e vendimeve, respektimi i të drejtave të njeriut, koha e arsyeshme e proceseve dhe, mbi të gjitha, besimi i qytetarëve.

“Nga kjo ditë e tutje suksesi i tij do të matet gjithnjë e më pak nga arkitektura institucionale dhe gjithnjë e më shumë nga cilësia e vendimeve, nga respektimi i të drejtave të njeriut, nga koha e arsyeshme e procesit dhe, në fund fare, nga besimi që qytetari do të ketë tek sistemi. Dhe në këtë etapë të reformës nuk ka më fytyrën e ligjeve dhe të institucioneve. Ajo do të ketë fytyrën tuaj,” tha Gogu.

Ministri theksoi se magjistrati nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një interpretues dhe vendimmarrës që ushtron pushtet. Prandaj, krahas pyetjes “Çfarë thotë ligji?”, çdo gjyqtar dhe prokuror duhet të pyesë veten vazhdimisht:

“Çfarë po bëj me pushtetin që më ka dhënë ligji?”Duke folur për rëndësinë e kufizimit të pushtetit, Gogu përmendi se Kushtetuta, procedurat dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosin kufij të jashtëm, por kufiri më i rëndësishëm është ai i brendshëm – integriteti personal. “Integriteti është kushti themelor i profesionit tuaj, sepse pa të gjithçka rrëzohet. Ai ju mbron nga korrupsioni, ai ju mbron nga presioni, ai ju mbron nga tundimi për ta përdorur detyrën për interesa që nuk i përkasin drejtësisë,” u shpreh ai.

Megjithatë, Ministri paralajmëroi se integriteti nuk mbron automatikisht nga rreziqet e brendshme si vetëbesimi i tepruar, mungesa e reflektimit apo iluzioni i pagabueshmërisë. Ai u bëri thirrje të rinjve për përulësi profesionale, duke i ftuar që të mos pushojnë kurrë së pyeturi veten: “Ore, mos e kam gabim?”

“Nëse një ditë pushoni së bërë këtë pyetje, nuk do të thotë se jeni bërë më të mirë. Mund të ketë filluar të ndodhë e kundërta,” paralajmëroi Toni Gogu.

Ai përfundoi duke nënvizuar se besimi i qytetarëve ndaj drejtësisë lind kur kufijtë kushtetues të pushtetit shtetëror bashkëjetojnë me kufijtë e ndërgjegjes së magjistratit.

“Dhe në fund të fundit, besimi është forma më e lartë e autoritetit që mund të ketë drejtësia”, tha Gogu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme