Vritet me thikë një 47-vjeçar në Dragash të Prizrenit, autori në arrati

Një person ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, Prizren pas një rrahjeje mes disa personave.
Sipas policisë, viktima dyshohet se paraprakisht ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.
Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku roje ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima dyshohet se ishte imam në këtë komunë.
“Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit”, thuhet në një raport të policisë që e ka para KosovaPress.
I dyshuari, gjithnjë sipas forcave të rendit, është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. Prej mbrëmjes së të hënës policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




