Aksidenti në aksin Durrës-Tiranë/ Shefi i Urgjencës së Traumës: Një fëmijë në gjendje të rëndë! 5 të tjerë në operim, 2 të huaj ende të paidentifikuar

Aktualitet | 3 muaj më parë

Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma ka dhënë detaje mbi gjendjen e të plagosurve në autostradën Tiranë-Durrës, në aksidentin tragjik ku u përmbys autobusi i linjës Berat-Tiranë.

Sipas shefit të Urgjencës së Traumës, shoferi 36-vjeçar, Redion Hasimi, ka mbërritur në spital pa shenja jete, ndërsa  kanë mbetur të plagosur disa persona, mes të civilëve edhe dy fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Sipas mjekut, të pesë të lënduarit e tjerë janë futur në operim, mes tyre dy  shtetas të huaj të cilët ende nuk janë identifikuar.

“Një i mitur i moshës rreth tetë apo nëntë vjeç ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Një tjetër i mitur, rreth moshës 14 vjeç, ndodhet në repartin e observimit ku po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga stafi mjekësor.

Pesë pacientë të grupmoshës së përafërt 30 deri në 50 vjeç po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale nga ekipet mjekësore roje të urgjencës.

Dy prej pacientëve që po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale janë shtetas të huaj, identiteti dhe shtetësia e të cilëve nuk janë konfirmuar ende; ata ndodhen faktikisht në gjendje të rëndë shëndetësore. Pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të stabilizuar, po trajtohen në urgjencë dhe po mbahen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, u shpreh Agustin Suma.

Ai shpjegoi se sipas vlerësimit aktual të ekipeve mjekësore, “këta pesë pacientë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor dhe mbështetës i Spitalit Universitar të Traumës mbetet plotësisht i angazhuar dhe në gatishmëri për ofrimin e kujdesit të specializuar për të gjithë të lënduarit”

Si paraqitet gjendja e të miturve?

Njëri është në gjendje të stabilizuar, ndërsa tjetri po i nënshtrohet, besoj, një ndërhyrjeje kirurgjikale, por duhet ta konfirmoni.

Po për të huajt, rreth çfarë moshe janë dhe a dihet shtetësia e tyre?

Nuk dimë, nuk kemi informacion më shumë. Po presim edhe ndihmën e Policisë së Shtetit që të na ndihmojë për t’i identifikuar.

Të gjithë të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës apo është larguar ndonjëri prej tyre nëpër spitale private?

Nuk kam informacion për spitale private. Tek ne janë paraqitur 13 persona. Një ka mbërritur i vdekur, pra është paraqitur pa shenja jete, ndërsa 12 të tjerët janë këtu dhe po marrin të gjithë shërbim mjekësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme