Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Shprehim shqetësim për dhunën ndaj protestuesve para Kuvendit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim të thellë për dhunën ndaj protestuesve nga Policia e Shtetit gjatë protestës së ditës së sotme para Kuvendit.
Organizata thekson se këto veprime shkelin standardet kushtetuese dhe KEDNJ-në, duke bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi përdorimin e forcës dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor.
“Bazuar në pamjet e bëra publikë ne media , Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësim për incidentet e datës së sotshme në protestën e mbajtur, përpara Kuvendit të RSH, ku ndërhyrja e policisë u shoqërua me përdorim force fizike, shoqërim protestuesish në komisariat dhe pamje që tregojnë tërheqjen zvarrë të protestuesve, me elementë të ngjashëm nga pamjet e protestës së Zvernecit të një muaji më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga dy shtetas civilë.
E drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional, referuar nenit 17/1 të Kushtetutës dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe as të tejkalojë kufizimet e KEDNJ-së, referuar nenit 17/2 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e KMSH-së.
KShH vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNJ) ka theksuar vazhdimisht se autoritetet shtetërore duhet të tregojnë një shkallë tolerance ndaj tubimeve paqësore dhe se forca është mjeti i fundit (Kudrevičius dhe të tjerë k. Lituanisë [DhM], 2015; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Tërheqja zvarrë dhe forca fizike ndaj protestuesve ngrenë shqetësime në raport me nenin 25 të Kushtetutës dhe nenin 3 të KEDNJ, të cilët mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e personit. GJEDNJ ka ritheksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor është thelbësor edhe në mënyrën se si autoritetet policore sillen me qytetarët (Bouyid k. Belgjikës [DhM], 2015).
KShH vlerëson se duke qenë se protesta prej rreth një muaji është zhvilluar në përgjithësi paqësisht, sikurse është pasqyruar gjerësisht edhe në median vendase e ndërkombëtare, çdo përdorim force duhej të ishte masë e fundit dhe rreptësisht proporcional, në përputhje me ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet konventore dhe kushtetuese për përdorimin e forcës, të shmangen format e kufizimit të lirisë, dhe atëherë kur ato zbatohen si masa e fundit proporcinale, të sigurohet për çdo person të shoqëruar respektimi i garnacive ligjore procedurale. KShH i bën thirrje organit të prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur e efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar force nga protestuesit.
Njëkohësisht, KShH u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të ushtrojnë të drejtën e tyre paqësisht dhe të shmangin çdo veprim që përshkallëzon situatën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




