“Edhe Kulla e Pizës është e anuar, por nuk është rrëzuar”/ Shembja e pallatit në Athinë pas punimeve në zonë, si u neglizhua animi i objektit me disa gradë, ja çfarë dyshohet

Greqi | 3 muaj më parë

Autoritetet greke kanë nisur një hetim paraprak për shembjen e një pallati në lagjen Petralona të Athinës, ndërsa pesë personat e arrestuar pas ngjarjes janë lënë të lirë deri në përfundimin e hetimeve.

Prokuroria ka urdhëruar zhvillimin e një hetimi për të përcaktuar nëse janë shkelur rregullat dhe legjislacioni që lidhen me punimet ndërtimore. Personat që u ndaluan fll arrestuarit janë dy pronarët e truallit, të cilët janë edhe inxhinierë dhe aksionarë të kompanisë ndërtuese, dy inxhinierët përgjegjës të projektit dhe kontraktori i punimeve.

Gjatë ditës së sotme, ekipe të specializuara të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Athinës do të kryejnë inspektime teknike dhe kontrolle statike në të gjitha ndërtesat pranë pallatit që u shemb në rrugën Alkminis 22.

Sipas kontrolleve të para, janë konstatuar probleme strukturore edhe në një pallat katërkatësh ngjitur, ku është vërejtur dëmtim në bazën e ndërtesës. Ekspertët po vlerësojnë nëse tërheqja e dheut, e shkaktuar nga gërmimet në truallin fqinj, ka krijuar rrezik edhe për ndërtesat e tjera.

Dyshimet për shkaqet e shembjes

Sipas të arrestuarve, shembja mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje uji në tubacione gjatë ditëve të mëparshme, e cila dobësoi tokën ku po kryheshin gërmimet.

Megjithatë, banorët e pallatit japin një version tjetër. Ata pretendojnë se që në mëngjes kishin dëgjuar kërcitje në ndërtesë dhe kishin vënë re çarje të mëdha. Një inxhinier i thirrur nga banorët konstatoi se pallati kishte marrë një pjerrësi prej 5 gradësh.

Kur banorët i shprehën shqetësimet inxhinierit të kantierit fqinj, ai, sipas dëshmive të tyre, u përgjigj me ironi: “Edhe Kulla e Pizës është e anuar, por nuk është rrëzuar.”

Brenda rreth një ore, pjerrësia e ndërtesës u rrit nga 5 në 14 gradë. Inxhinieri i banorëve njoftoi menjëherë gjashtë familjet që jetonin në pallat dhe i udhëzoi të largoheshin. Pak më vonë, edhe punëtorët e kantierit trokitën në dyert e apartamenteve dhe kërkuan evakuimin e menjëhershëm të ndërtesës, duke përmendur si arsye “zhurma të forta”.

Ky veprim ka ngritur dyshime te policia se përgjegjësit e kantierit mund të kenë kuptuar se gërmimet kishin dëmtuar themelet e pallatit fqinj dhe po përpiqeshin të shmangnin pasojat. Hetuesit po shqyrtojnë edhe informacionet se ishte planifikuar të hidhej beton me ngurtësim të shpejtë për të stabilizuar përkohësisht ndërtesën.

  • Çfarë po hetohet

    Ekspertët besojnë se shembja mund të jetë rezultat i një kombinimi faktorësh. Pallati i rrëzuar ishte ndërtuar në vitin 1970, nuk kishte bodrum dhe themelet e tij ishin vetëm 1-1,3 metra të thella. Në truallin fqinj po ndërtohej një pallat pesëkatësh me bodrum, për të cilin po kryheshin gërmime deri në rreth 6 metra thellësi.

    Një nga çështjet që po hetohet është nëse një ekip teknik kishte rekomanduar më herët përforcimin e tokës me beton të spërkatur (shotcrete) për të shmangur rrezikun e shembjes, por kjo masë nuk u zbatua për shkak të kostos.

    Nga ana tjetër, specialistët theksojnë se një ndërtesë e ndërtuar sipas standardeve nuk duhet të shembet vetëm si pasojë e punimeve në truallin fqinj. Për këtë arsye po hetohet nëse pallati kishte probleme të mëparshme strukturore, dobësi në skeletin mbajtës ose nëse në zonë ekzistonin veçori gjeologjike që kontribuan në shembje.

    Pallati katërkatësh u shemb mesditën e së martës në rrugën Alkminis 22, në zonën e Petralonës në Athinë, ndërsa autoritetet greke kanë nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme