Më 16 shtator vendimi për ish-komandantët e UÇK-së/OVL e UÇK: Shtyrja e papranueshme, do të ketë protesta
Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të njihen me vendimin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë më 16 shtator. Shtyrjen e vendimit, gjykata e arsyetoi me provat e shumta dhe kompleksitetin e procesit. Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cilësoi shtyrjen e vendimit të papranueshëm, duke paralajmëruar edhe protesta.
“Vendimi i papranueshëm. Ne si OVL-UÇK protestojmë ashpër ndaj këtij vendimi, ndaj këtyre gjyqtarëve. Po dihet se gjyqtarët janë në koordinim me prokurorët. Dëmi është shumë i madh kur bashkëpunojnë gjyqtarët me Prokurorinë. Kemi frikë se mund të ndodhë edhe më e keqja, por serish jam optimist se krerët e UÇK-së do të lirohen si të pafajshëm”, u shpreh Hysni Gucati, Kryetar i OVL të UÇK-së.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, tha se vendimi i fundit i Speciales është skandaloz.
“Edhe protesta është një mjet demokratik për t’i treguar edhe Hagës, edhe shteteve financuese të kësaj gjykate që populli i Kosovës është me krerët e UÇK-së edhe që populli i Kosovës nuk pranon asnjë verdikt dënues nga një gjykatë e cila në mënyrë sistematike ka shkelur të drejtat e njeriut, ka shkelur të gjitha normat e një drejtësie dhe një gjyqi fer dhe të drejtë”.
Për kryetarin e PDK-së Bedri Hamza Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e së drejtës. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në vitet 1998-1999, akuza që janë refuzuar nga 4 ish komandantët e UÇK-së, ndërsa Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg për secilin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




