Aksident në aksin Levan–Tepelenë, drejtuesi i mjetit në gjendje kritike. Jashtë rrezikut gruaja dhe i mituri

Një aksident rrugor ka ndodhur sot në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh. Një automjet i tipit Volkswagen Touran ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosur të tre personat që udhëtonin në të.
Sipas të dhënave të para, në mjet ndodheshin drejtuesi i automjetit, një grua dhe një i mitur. Të tre janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor.
Burime nga spitali njoftojnë se gruaja dhe i mituri janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit ndodhet në sallën e operacionit në gjendje kritike.
Shërbimet e Policisë së Shtetit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit, duke përfshirë edhe mundësinë e shpejtësisë së lartë, gjendjen e rrugës apo faktorë të tjerë.
Autoritetet kompetente vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




