Skema e “Call-Center”-ave mashtrues, Gjykata e Vlorës vendos “arrest me burg” për tre të arrestuarit

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Granit Pepnikën, i arrestuar më 3 korrik në Dhërmi, në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme të call center-ave mashtrues.
29-vjeçari akuzohet për veprën penale “mashtrim kompjuterik”. E njëjta masë sigurie është vendosur edhe për Xhoni Hitajn, i akuzuar gjithashtu për “mashtrim kompjuterik”, si dhe për Redion Rexhmatin, i cili akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.
Pepnika u ndalua nga strukturat e Policisë së Vlorës dhe Forca Operacionale, teksa qëndronte në një vilë në zonën e Dhërmiut. Bashkë me të u arrestua edhe Xhoni Hitaj, i shpallur më herët në kërkim.
Sipas hetimeve, Pepnika dyshohet se ka qenë një nga organizatorët e rrjetit të call center-ave që mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i bindur të investonin në platforma të rreme bursash. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të ketë kaluar shifrën e 50 milionë eurove.
Nga hetimet rezulton se ai zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, e themeluar në korrik 2021 së bashku me Jurgen Melën.
Dosja lidhet me një operacion të zhvilluar në prill të këtij viti, kur Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditi tre rrjete call center-ash mashtrues që vepronin në 12 zyra në Tiranë. Operacioni erdhi pas një hetimi dyvjeçar, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash dhe u arrestuan 10 persona.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




