Kosovë, hapet rruga për institucionet e reja, Supremja rrëzon ankesat, KQZ pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve

Kosovë | 3 muaj më parë

Gjykata Supreme në Kosovë ka rrëzuar të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i hapur rrugë certifikimit zyrtar dhe nisjes së procesit për krijimin e institucioneve të reja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të mërkurën për të certifikuar rezultatet.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 47.13 për qind të votave dhe 53 mandate në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate.

Pas certifikimit pritet të thirret edhe seanca konstituive e Kuvendit, ashtu si ka ndodhur edhe në proceset e mëparshme zgjedhore. Edhe pse Vetëvendosje shprehet se i ka siguruar votat për krijimin e qeverisë së re, zgjedhja e Presidentit mbetet një sfidë që kërkon mbështetje më të gjerë në Kuvend.

Nga ana tjetër, opozita nuk ka bërë të ditur ende një qëndrim të përbashkët. Teksa PDK është shprehur e hapur për dialog, LDK dhe AAK kanë vendosur kushte për një marrëveshje politike. Mes kërkesave të tyre janë orientimi strategjik i vendit, projektet energjetike dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

Nëse edhe kësaj here nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme, duke thelluar më tej krizën politike që ka shoqëruar Kosovën gjatë dy viteve të fundit.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme