Nis gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dy të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur procesi gjyqësor ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2023. Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre, një qëndrim të cilin e kanë mbajtur edhe në seancën fillestare. Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se provat e mbledhura gjatë hetimeve dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat penale për të cilat ngarkohen. Prokurori Bekim Kodraliu tha se hetimet kanë nxjerrë të dhëna që, sipas tij, tregojnë se Qeveria e Serbisë ka pasur rol në përgatitjen e sulmit.
Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë sekuestruar armë, municione, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu, analizat forenzike, përfshirë ekspertizat e ADN-së dhe ekzaminimet e tjera, sipas organit të akuzës, i lidhin të pandehurit me ngjarjen dhe vendin ku ndodhi sulmi. Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar që procesi të zhvillohet në mënyrë objektive. Ata kanë pretenduar se aktakuza nuk përcakton qartë veprimet konkrete që klientët e tyre dyshohet se kanë kryer.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin, akuzohen për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues, kryerjes së veprës terroriste dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërsa Jovan Viqentijeviq akuzohet gjithashtu edhe për spiunazh. Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ndodhi në nëntor të vitit 2023 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, duke shkaktuar dëmtime në një prej infrastrukturave të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe energji në Kosovë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




