Momente paniku në Greqi/ F-16 merr flakë gjatë fluturimit dhe ulet me urgjencë në Zakynthos, shpëton mrekullisht piloti

Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Greqisë kreu një ulje emergjente në aeroportin e Zakynthos, pasi pësoi një defekt mekanik që shkaktoi edhe një zjarr.
Avioni ishte ngritur nga Baza Ajrore e 116-të Luftarake në Araxos dhe po merrte pjesë në një fluturim stërvitor, kur u shfaq problemi teknik. Për këtë arsye, piloti u detyrua të kryente një ulje emergjente në aeroportin më të afërt, atë të Zakynthosit.
Sipas informacioneve paraprake, piloti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pësuar lëndime.
Menjëherë pas uljes së avionit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për të shuar flakët. Si masë parandaluese, ato përdorën edhe shkumë speciale për të shmangur përhapjen e zjarrit.
“Forcat Ajrore njoftojnë se të enjten, më 9 korrik 2026, në orën 13:45, një avion F-16 i Skuadronit të 335-të të Bazës Ajrore Luftarake 116, gjatë një fluturimi stërvitor, kreu një ulje emergjente në aeroportin e Zakynthosit për shkak të një defekti. Piloti i avionit është në gjendje të mirë shëndetësore. Shkaqet e incidentit janë duke u hetuar.”, thuhet në njoftimin e Forcave Ajrore Greke.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.










