Kurti fton në takim liderët e opozitës, në fokus krijimi i institucioneve të reja

Kosovë | 3 muaj më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, për të diskutuar mbi krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i cili bëri të ditur se ftesat u janë dërguar kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka deklaruar Manxhuka.

Ftesat vijnë një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Takimet pritet të fokusohen te hapat për formimin e institucioneve të reja dhe zhvillimet politike pas procesit zgjedhor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme