Sarandë/ Goditi me sende të forta administratorin e një subjekti, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari

Një konflikt për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete ka degjeneruar në dhunë fizike në parkimin e atraksionit natyror “Syri i Kaltër” në Sarandë, duke lënë të plagosur administratorin e subjektit me qira, ndërsa autori i sulmit është vendosur në pranga nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit që jep biçikleta me qira. Si pasojë, i plagosuri ka pësuar fraktura dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë shkuar në vendngjarje pas njoftimit nga Salla Operative, duke shoqëruar në komisariat të gjithë personat e përfshirë në incident.
Pas veprimeve të para hetimore, A. H. (43 vjeç) u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Në gjendje të lirë u proceduan penalisht për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prishje e qetësisë publike” edhe A. H., 45 vjeç (vëllai i të arrestuarit), banues në Kamëz; S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq; A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë – administratori i subjektit.
“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, në vendin e quajtur “Parkimi i Syrit të Kaltër”, gjatë një konflikti për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit, i cili ka pësuar dëmtime (fraktura) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet dyshohet se në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërsa shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në Kamëz (vëllai i të arrestuarit), S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, dhe A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë, administrator i subjektit, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike“, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, hetimet nga policia vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




