Temperatura deri në 40°C, sinoptikani Hakil Osmani parashikon një javë përvëluese në Shqipëri, qytetet më të nxehta
Sinoptikani Hakil Osmani ka paralajmëruar një javë me temperatura të larta në Shqipëri, me rritje të ndjeshme të vlerave termike sidomos nga dita e mërkurë dhe në vijim.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Osmani tha se temperaturat gjatë kësaj jave do të jenë të larta në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa kulmi i të nxehtit pritet të jetë të enjten dhe të premten.
“Gjatë kësaj jave temperaturat luhaten në pjesën më të madhe të territorit shqiptar në 37-38 gradë Celsius në Ultësirën Perëndimore. Pritet që lehtësisht të kemi edhe temperatura disi më të larta se 38 gradë”, u shpreh Osmani.
Sipas tij, nga mesi i javës një masë ajrore e nxehtë do të përfshijë Europën jugore, duke sjellë rritje të mëtejshme të temperaturave edhe në vendin tonë.
“Duke filluar nga dita e mërkurë, e enjte dhe e premte pritet të kemi rritje të temperaturave të ajrit. Maksimumet në qytetet e zonave të ulëta do të afrohen shumë pranë vlerave 40 gradë Celsius, duke përfshirë edhe kryeqytetin”, tha sinoptikani.
Zonat që pritet të regjistrojnë temperaturat më të larta janë qarku i Elbasanit, Beratit dhe Shkodrës. Osmani përmendi veçanërisht disa zona ku temperaturat mund të kalojnë edhe mbi 40°C.
“Lokalitete të Shkodrës si Kopliku, por edhe zona qendrore si Elbasani, Belshi, Ura Vajgurore dhe Kuçova pritet që temperaturat e ajrit lehtësisht të kalojnë edhe mbi 40°C”, deklaroi ai.
Edhe Tirana pritet të përballet me temperatura të larta, me maksimumet që mund të arrijnë rreth 39°C. Megjithatë, sinoptikani theksoi se ndjesia e temperaturës ndryshon sipas zonave urbane.
“Nëse marrim për shembull sheshin Skënderbej, temperaturat e ajrit do të ndihen më të larta sesa në zonën e Liqenit, ku pemët dhe hija bëjnë që temperaturat të ndihen më të ulëta”, u shpreh Osmani.
Sipas tij, edhe temperaturat e mëngjesit pritet të rriten, duke bërë që netët dhe orët e para të ditës të jenë më të nxehta.
“Minimumet në Ultësirën Perëndimore pritet të luhaten nga 20 deri pranë vlerave 27-28 gradë Celsius, duke bërë që të kemi mëngjese mjaft të nxehta”, tha ai.
Gjatë kësaj jave pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga moti i kthjellët, ndërsa në zonat verilindore mund të ketë vranësira dhe reshje të izoluara gjatë ditëve të mërkurë dhe të enjte.
Osmani paralajmëroi edhe për rritjen e rrezikut të zjarreve, për shkak të temperaturave të larta dhe tharjes së terrenit.
“Ditë pas dite shtohet rreziku i zjarreve, pasi kemi temperatura të larta dhe vendi bëhet më i thatë”, theksoi ai.
Duke folur për situatën në Europë, sinoptikani tha se vala e të nxehtit lidhet me masat e nxehta ajrore që kanë përfshirë kontinentin, ndërsa temperaturat ekstreme janë regjistruar në disa vende të Mesdheut.
Ai nënvizoi se temperaturat rreth 40°C nuk duhet të konsiderohen normale, edhe pse vitet e fundit janë bërë më të shpeshta.
“Temperatura 40 gradë Celsius është e regjistruar në hije. Nëse ne ecim të ekspozuar ndaj diellit, sigurisht që i ndjejmë edhe në 44 apo 45 gradë”, paralajmëroi Hakil Osmani.
Sipas parashikimit, fundjava mund të sjellë një ulje të lehtë të temperaturave me rreth 2-3 gradë, por vlerat do të mbeten sërish të larta, rreth 37-38°C.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




