Kosova shpall ministren serbe person “të padëshirueshëm” pas deklaratave të saj për spastrim etnik

Kosovë | 2 muaj më parë

Kosova e shpalli person të padëshiruar ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj.

Vendimi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili tha se deklaratat e saj rikthejnë retorikën e spastrimit etnik, nga e cila, sipas tij, Serbia nuk është distancuar kurrë.

Sveçla theksoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologji të tilla apo për të kërcënuar Kosovën do të marrë përgjigje të vendosur ligjore dhe institucionale.

Reagimi vjen pasi Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, ndërsa më vonë konfirmoi se nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe mbështet politikën e Partisë Socialiste të Serbisë.

Deklaratat e ministres serbe u dënuan edhe nga Bashkimi Europian, ku zëdhënësja e Komisionit Europian, Anitta Hipper, theksoi se në Europë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh e tronditur dhe deklaroi se për deklarata të tilla duhet të ketë tolerancë zero, duke shpresuar se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Serbisë.

Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 la mbi 13 mijë viktima civile dhe mijëra të zhdukur, ndërsa drejtues të lartë politikë e ushtarakë të ish-Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për krime kundër popullsisë shqiptare

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme