Aksident i rëndë në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti

Aktualitet | 3 muaj më parë

Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën mbrëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti rrugor. Aksidenti ka ndodhur në zonën e Zvernecit, pranë daljes së Dalanit.

Sipas informacioneve paraprake, dëshmive të para nga vendngjarja, gazetari Mehmeti ishte duke udhëtuar me automjet, kur për shkaqe që ende nuk dihen, mjeti është përmbysur. Si pasojë, 40 vjeçari është goditur nga automjeti Quad ATV dhe ka marrë dëmtime të shumta.

Ashtu siç raporton edhe korrespodentja e RTSH-së, Afrovita Hysaj, menjëherë pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Referuar burimeve paraprake, bëhet e ditur se viktima kishte pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe në organet jetësore.

  • Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).

    Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.

    Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.

    Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

    Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme