Tre operacione në 24 orë në Dhërmi, Delvinë dhe Qafë Botë arrestohen 3 persona për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe trafikim emigrantësh
Policia e Vlorës ka finalizuar tre operacione të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të paligjshëm të personave që synonin të kalonin kufirin drejt Greqisë.
Si rezultat i aksioneve janë arrestuar tre shtetas, ndërsa janë sekuestruar një pistoletë me krehër dhe fishekë, një thikë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e emigrantëve.
Operacioni i parë, i koduar “Pasagjeri”, u zhvillua nga Stacioni i Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Gjatë kontrollit të një taksie u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 26 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, të cilit iu gjet një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Në operacionin “Thirrja”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Delvinë në bashkëpunim me Policinë e Sarandës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, u arrestua 31-vjeçari H. Z., banues në fshatin Vanë. Sipas Policisë, ai dyshohet se dhunoi një punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OShEE) për t’i marrë automjetin e kompanisë. Mjeti u gjet dhe iu kthye subjektit, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të arrestuarit u sekuestrua edhe një thikë.
Ndërkohë, Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë finalizoi operacionin “Barriera”, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë. Në pranga u vu shtetasi M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh, i cili u kap duke transportuar me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, që synonin të kalonin ilegalisht në Greqi për shkak të pengesave për lëvizje në zonën Schengen.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorive përkatëse për vijimin e veprimeve hetimore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




